Përgjatë 3 muajve, në tre qytete, me tre audienca të ndryshme: “Etyd për dashurinë” mbyll në Berat ciklin e shfaqjeve që risollën në skenë ndjenjën universale të dashurisë, frymëzuar nga vepra “Romeo dhe Zhuljeta”.
Muajt e kësaj vere nuk patën vetëm temperatura të larta, plazh dhe arratisje në destinacione të afërta e të largëta ekzotike. Ato sollën edhe emocione të veçanta për të gjithë dashamirësit e artit dhe kulturës, të teatrit dhe veprave të pavdekshme të letërsisë. Pavarësisht dekadave apo shekujve që kalojnë, disa vepra mbeten ikonike dhe e gjejnë gjithmonë rrugën për në zemrën e audiencës.
E tillë ishte “Etyd për dashurinë”, performanca skenike e frymëzuar nga historia e dashurisë së shekullit të XVI, “Romeo dhe Zhuljeta”, shkruar nga dramaturgu i njohur britanik, William Shekspir.

Më 30 gusht ajo shfaqje u vu në skenën e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”. Ndryshe nga sa jemi mësuar ta shikojmë në skenat apo në ekranet e kinematografisë botërore, kjo histori dashurie erdhi me një koncept të ri nga regjisori Igli Zarkës, ndërsa notat muzikore të kompozitores Rona Castrioti e bënë edhe më të ndjerë dhe emocionale.

Duartrokitje të ngrohta dhuroi në mbyllje audienca për dy aktorët e rinj, Daniela Sadja dhe Enis Demarku, studentë të programit Arte Skenike- profili Aktrim në Universitetin Europian të Tiranës.
Shfaqja “Etyd për dashurinë” vjen në kuadër të një projekti të realizuar nga Instituti Liberal, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, shtëpisë botuese UET Press dhe Gazetës Liberale.
Përgjatë tre muajve të verës ajo ka rrugëtuar në skenat e tre qyteteve, duke qenë mes audiencave të ndryshme. Për herë të parë u shfaq në kryeqytet më 30 qershor, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, universiteti jopublik që diplomon prej vitesh profesionistë të të gjitha fushave, por edhe artistë të rinj në profilin e aktrimit, regjisurës, kantos, instrumenteve etj.

Më 16 korrik, shfaqja udhëtoi drejt qytetit të Shkodrës, për të dhuruar emocione të veçanta në ambientet e Qendrës Rinore Arka, me një audiencë që gjithmonë di të shijojë artin dhe kulturën. Ndalesa e radhës dhe e fundit e këtij turneu artistik ishte në qytetin e Beratit.




